Ben Bernanke, Drejtor i Rezervës Federale, siç quhet Banka Qendrore në Shtetet e Bashkuara, tha se ekonomia amerikane përballet me vështirësi të shumta në klimën kur tregu i pronave të patundshme vazhdon të bjerë, kur çmimet e naftës janë rritur së tepërmi dhe kur tregjet financiare janë në krizë. Në komentet përpara Komisionit Bankar të Senatit, zoti Bernanke e bëri të qartë se politika monetare e Bankës Qendrore synon ta mbajë ekonominë në rritje dhe të luftojë inflacionin. Ai nuk dha ndonjë shenjë se si do të veprojë Rezerva Federale me interesat bankare në të ardhmen.
Kreu i Bankës Qendrore u tha ligjvënësve se problemet e tanishme të ekonomisë janë më të rënda se sa kanë qenë për vite me radhë dhe si rrjedhojë, rritja ekonomike do të jetë më e ulët nga parashikimet.
"Për pjesën e mbetur të vitit, prodhimi pritet të zgjerohet me ritme që janë mjaft më të ulta se sa zakonisht, kryesisht për shkak të vazhdimit të dobësive në tregjet e shtëpive, çmimeve të larta të energjisë dhe kushteve të keqësuara të kreditimit. Rritja mendohet se do të përshpejtohet gradualisht në dy vitet e ardhshëm pasi rënia në industrinë e ndërtimit të shtëpive të ketë arritur pikën më të ulët dhe të ketë filluar dalngadalë rimëkëmbja dhe kur krediti bankar të jetë përmirësuar gradualisht."
Zoti Bernanke u pyet rreth dy kompanive gjigande që blejnë e shesin kredi shtëpish dhe që janë lojtaret më të mëdha në këtë treg, kompani të cilat fillimisht janë formuar nga qeveria e që ditët e fundit u shpëtuan prej saj. Kreu i Bankës Qendrore e mori në mbrojtje planin e qeverisë për t’u dhënë ndihmë këtyre kompanive të njohura me emrin Fannie Mae dhe Freddie Mac. Ai i bëri thirrje Kongresit të miratojë ligje që do të forconin mbikqyrjen e dy kompanive.
Zoti Bernanke tha se perspektiva ekonomike e vendit përballet me rreziqe kryesisht për shkak të pasigurisë në çmimet e naftës, të cilat janë rritur 50% këtë vit dhe 500 % që nga fillimi i dekadës.
"Gjykimi ynë është se kjo ngritje e madhe e çmimeve është shkaktuar kryesisht nga rritja e madhe e kërkesës dhe oferta e pamjaftueshme në tregjet botërore të naftës. Gjatë disa viteve të kaluara, ekonomia botërore është zgjeruar me ritmet më të shpejta në disa dekada duke çuar në një shtim të jashtëzakonshëm të kërkesës për naftë."
Zoti Bernanke tha se dollari i dobët mund të ketë kontribuar në një farë mase për rritjen e madhe të çmimit të naftës.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Punës njofton se rritja e madhe e kostos së benzinës dhe produkteve ushqimore i ka ngritur çmimet e konsumit me 1,8 përqind gjatë qershorit dhe 9,2 përqind për 12 muajt e kaluar, rritja më e madhe kjo që nga viti 1981.
Në të njëjtën kohë, dollari arriti një shifër tjetër të ulët rekord në shkëmbim me euron, monedhën që përdoret nga 15 vende të Bashkimit Europian (24-ore